Basha akuzon qeverinë për dështim në menaxhimin e pandemisë

0
9

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ra kambanave të alarmit ditën e sotme, ku tha se përhapja e COVID-19 në Shqipëri ka dalë jashtë kontrollit, ku të infektuarit po rriten, ndërsa testimet mbeten të ulëta.

Në një takim me mjekë, specialistë të fushës dhe pjesëtarë të departamentit të shëndetësisë në PD, Basha u shpreh se dështimi me menaxhimin e situatës çoi dëm sakrificën e 3 muajve izolim. 

“Sot qytetarët po përballen me një rritje të numrit të viktimave, të të prekurve me COVID-19, shoqëruar dhe me krizën e rëndë ekonomike. Vatrat kryesore të infeksionit tani janë spitalet dhe qendrat shëndetësore,” deklaroi kryedemokrati.

“Përhapja e virusit në spitale ka rritur ndjeshëm numrin e personelit mjekësor të prekur me COVID-19, si dhe infektimin e qytetarëve që marrin ndihmë për sëmundje të ndryshme. Virusi është evidentuar tashmë kudo, në polici, në kopshte e çerdhe, në zyrat e shtetit e kudo,” shtoi z. Basha.

Kreu i PD tha se qeveria është dorëzuar dhe nuk po merr masa parandaluese, duke vendosur në rrezik jetën e qytetarëve.

“Karantina 3 mujore shërbeu vetëm për vjedhjen e miliona lekëve përmes tenderave sekretë, pasi qeveria nuk mori asnjë masë për kujdesin ndaj qytetarëve pas lehtësimit të kufizimeve,” akuzoi PD.

Në njoftimin për shtyp të PD, opozita ngriti këto pikëpyetje:

– Sa është numri i kiteve të testimit që ka në dispozicion Shqipëria dhe çfarë po bëhet me sigurimin e tyre?

– Si po trajtohen të infektuarit që ndodhen në qytete të tjera të vendit?

– A po mbështeten financiarisht mjekët dhe infermierët, që po bëjnë një punë të jashtëzakonshme në kushte tejet të vështira?

– A ka qeveria në dispozicion fonde për të rritur kapacitetet testuese?

“Sot është jetik testimi horizontal i personelit dhe pacientëve për të gjurmuar, identifikuar sa më parë dhe izoluar të infektuarit. Situata është jashtë kontrollit por qeveria hesht, ndërsa duhet të kishte marrë masa për aktivizimin e një rrjeti të gjerë laboratorësh publikë e privatë për testet molekulare e imunologjike,” këshilloi Partia Demokratike.