Banorë të fshatit Unjate në Bashkinë e Klosit kanë protestuar për gjendjen e degraduar të rrugës së tyre. Banorët u mblodhën në rrugën e cila është bërë gati e pakalueshme. Ata thonë se për këtë rrugë kanë investuar vetë disa herë që me hapjen e saj për shtrimin apo mirëmbajtjen prej të paktën 15 vitesh. Rruga është kthyer e pakalueshme kur në të janë hapur kanalet për futjen e tubacionit të ujit të pijshëm. Për këtë, banorët fajësojnë firmën “Gjoka Konstruksion” e cila po zbaton projektin. Prej tre muajsh e vetmja makinë që mund të hyjë në fshat duhet të jetë fuoristradë dhe katër herë katër. Banorët paguajnë deri në 3 mijë lekë të rinj vajtje-ardhje për të shkuar në qytetin e Klosit, i cili nuk është më shumë se 3 km larg fshatit Unjate.

  Nga ana tjetër, banorët e fshatit Unjate thonë se Bashkia Klos dhe firma ja lënë përgjegjësinë e rehabilitimit të rrugës njëra – tjetrës, por pasojat po i vuajnë vetë ata.

Banorët e fshatit Unjate paralajmërojnë se nëse problemi nuk zgjidhet, atëherë ata do të përshkallëzojnë protestat.