Dy persona kanë humbur gjurmët në harkun kohor të afro një muaji në Dibër e Bulqizë. Rasti i parë ishte ai i Tofik Xhika nga fshati Fush Alije i Bashkisë Dibër. Me datë 26 Dhjetor të vitit të kaluar ai kishte dalë për të peshkuar në lumin Drin i Zi por nuk u kthye kurrë në banesë, duke hedhur dyshimet se ai mund të ishte mbytur në lum.
Për ditë me radhë kërkuan familjarët pothuajse të gjithë vijën lumore nga fshati Fushë Alije e deri në Skavicë, por pa mundur ta gjejnë atë. Edhe kërkimet e repartit të polumbarëve të forcave RENE rezultuan pa sukses. Ata kryen zhytje në zonën ku mendohej të ishte mbytur Xhika, por nuk gjetën asnjë shenjë të tij në ujë.
Në mesin e muajit Janar të këtij viti, 80 vjeçari Sadik Xheka nga fshati Gjuras i Shpenzës në Bulqizë rezulton i zhdukur. Me datë 15 Janar ai është larguar nga banesa dhe nuk është kthyer ende. Familjarët kanë treguar se 80 vjeçari vuante nga skleroza, ndaj nuk dihet se ku mund të ketë shkuar. Edhe në këtë rast pati një angazhim të familjarëve e të afërme, por pamundur ta gjejnë atë. Për të dy këto raste autoritetet policore tashmë i kanë të regjistruar si të zhdukur. Nga ana tjetër familjet e të dy personave kërkojnë një tjetër angazhim të instancave përgjegjëse për të kërkuar të afërmit e tyre.