I dyshuar si vrasës me pagesë, një 30-vjeçar nga Kosova është arrestuar nga autoritete malazezë disa ditë më parë. Bëhët fjalë për shtetasin Bajram Pista, i cili është arrestuar në Budva raporton gazeta malazeze ‘Vijesti’. Kapja e tij është bërë 5 ditë më parë, ku shtetasi kosovar kishte shkuar në qytetin bregdetar malazez i ngarkuar për të vrarë anëtarin e njërit prej dy klaneve kriminale që janë në konflikt. Ndërkohë, sa i përket burimeve, thuhet se grupi hetimor po punon për kapjen e disa personave të tjerë, të cilët dyshohen se kanë përkrahur Pistën në këtë qytet, duke i ofruar atij ndihmë logjistike. Për këtë fakt, hetuesit disponojnë edhe tabulatet telefonike që Bajram Pista ka me personat në kërkim.
Sipas gazetës, Pista është arrestuar më 29 prill, në një banesë në hyrje të Budvës. Thuhet se i arrestuari është nga Rahoveci, dhe se në momentin e arrestimit atij i janë gjetur edhe armë, municion, heroinë dhe një telefon i koduar. 30-vjeçar kosovar po hetohet edhe për një sërë ngajrjesh të tjera kriminale të ndodhura kohët e fundit në shtetin malazez.