Operacion ndërkombëtar i koduar “Korabi”, ka çuar në pranga dy anëtarë të një bande që kryente vjedhje me armë në Itali. Operacioni u zhvillua nga policia shqiptare dhe Italiane në të njëjtën kohë, duke arrestuar në Peshkopi shtetasit B. GJ, 38 vjeç dhe Q.A, 32 vjeç, lindur dhe banues në Dibër. Në të njëjtën kohë është kapur në Itali, nga Policia Italiane edhe pjesëtarja e tretë e grupit, një shtetase nga Dibra me inicialet H.R, 49 vjeçe.
Të tre këta shtetas në datën 04.05.2019, në zonën Fiano Romano/Itali, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur nëpërmjet përdorimit të armëve në banesën e shtetasit italian A.L, një sasi bizhuterish dhe shumën monetare 60.000 euro, që ndodheshin në kasafortën e këtij shtetasi dhe më pas janë laguar nga vendi i ngjarjes me një automjet të vjedhur.
Ata ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata Rieto/Itali me vendimin e datës 25.06.2019, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Vjedhje me armë, kryer në bashkëpunim”, “Mbajtje pa leje e armëve të zjarrit” dhe “Mbajtje e sendeve të vjedhura”, parashikuar nga Kodi Penal Italian. Tashmë ata rrezikojnë të dënohen deri në 20 vite burg.