Sëmundja e kancerit të gjirit është kthyer në problem global vitet e fundit, e për këtë zhvillohen fushata sensibilizuese për të ndërgjegjësuar gratë që të bëjnë kontrolle periodike në mënyrë që kjo sëmundje të kapet në kohë sa më të hershme. Një nga fushatat e përvitshme është edhe ajo e muajit Tetor, i cilësuar si muaji rozë. Njësitë vendore të kujdesit shëndetësor në të gjithë vendin zhvillojnë aktivitete ndërgjegjësuese për kontrollet ndaj kancerit të gjirit. Në kuadër të këtij muaji Zyra e Shërbimit Parësor pranë Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Mat, zhvilloi një aktivitet sensibilizues në parkun “Mbretëresha Geraldinë” të qytetit të Burrelit ku morën pjesë gra e vajza nga i gjithë Mati. Mesazhe për luftën ndaj kësaj sëmundje dhanë Drejtori i NjVKSH Mat, Altin Bojni, Kryetarja e Bashkisë Klos, Valbona Kola dhe Zëvendëskryetari i Bashkisë Mat, Myslym Zeneli.
Të pranishëm në këtë aktivitet pati edhe nga Drejtoria Rajonale e Operatorit si dhe të ftuar të tjerë që dhanë mesazhe sensibilizuese për luftën kundër kancerit të gjirit.
Aktiviteti u shoqërua edhe me mesazhe të dhëna nga nxënës të shkollave të Burrelit nëpërmjet eseve që kishin përgatitur.