Në ditën e 21 shkurtit, Ditës botërore të Gjuhës Amtare, Biblioteka e gjimnazit “Pjetër Budi”, Burrel, me mësuese përgjegjëse Lindita Ceni, organizoi aktivitetin letrar “Takohemi për një libër” me shkrimtarin Gjokë Dabaj, referuar librit më të fundëm të tij “Iliro – Epiro – Albanizmat në gjuhët sllave”.
Fillimisht veprimtaria iu përkushtua Ditës së Gjuhës Amtare me referenca e recitime nga gjimnazistët dhe më pas i tërë aktiviteti pati si kryefjalë jetën dhe veprën e shkrimtarit dhe studiuesit Gjokë Dabaj dhe kontributit të tij për gjuhën. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm dhe referuan shkrimtari dhe studiuesi i mirënjohur Behar Gjoka, shkrimtari dhe publicisti Hamdi Hysuka, mësuesit e Gjuhës shqipe, poetët Lindita Doda dhe Ethem Çipi, shkrimtari dhe studiuesi Artan Kurti, gazetarët e “Mat Televizion” Fatmir Neli dhe Dritan Kurti, mësues të dy gjimnazeve të qytetit Burrel, si dhe gjimnazistë. Nderonte me praninë e saj dhe bashkëshortja e shkrimtarit Gjokë Dabaj, mësuesja e Gjuhës shqipe Fotoni Dabaj.
Më pas autori i librit “Iliro – Epiro – Albanizmat në gjuhët sllave”, etimologu dhe studiuesi 85-vjeçar Gjokë Dabaj, foli mbi rëndësinë që ka ky libër për vetë gjuhën shqipe dhe kombin shqiptar, një gjuhë që sipas Dabajt i ka rrënjët që nga Gjenova e deri në Bizant, dhe që ka dhënë më shumë se ka marrë me gjuhët e kombeve jo vetëm sllavë por edhe rusë. Ndaj, tha Dabaj, nuk ka si të shpjegohen rreth 5 mijë fjalë që shqipja i ka dhënë sllavishtes dhe rreth 2 mijë fjalë që shqipja i ka dhënë rusishtes. Por e rëndësishme, theksoi Dabaj, është njohja e gjuhës shqipe, ruajtja e pastër dhe trashëgimia e saj ndër breza.
Takimi i realizuar nga mësuesja e Gjuhës shqipe Lindita Ceni përgjegjëse e Bibliotekës së Gjimnazit “Pjetër Budi”, Burrel, u vlerësua nga të pranishmit si ndër aktivitetet shkollore më të vlera, për nga mesazhi që u përcjell për edukimin e brezave të rinj.
Fatmir Neli