Ditët me lagështi nuk janë aspak të sigurta për të udhëtuar në drejtim të Tiranës apo Qarkut Dibër nëpërmjet rrugës së Arbrit, sidomos në bypassin e Murrizit. Një nga kthesat në fshatin Bastar Murrize vijon të jetë rrezik potencial për aksidente. Mbrëmjen e së premtes në vetëm pak minuta u regjistruan dy aksidente të cilat fatmirësisht nuk patën pasoja në jetë njerëzore. Dy automjete tip benz u përplasën kokë më kokë, duke shkaktuar disa të lënduar.
Ndërkohë po në të njëjtin vend një automjet tip Rang Rover që lëvizte në drejtim të Tiranës ka dalë nga rruga duke përfunduar mbi varreza. Për fat në mirë familja 4 anëtarëshe që ndodhej në të ka pësuar vetëm lëndime të lehta.
Nga aksidentet janë regjistruar dëme të mëdha materiale. Si rezultat i këtyre aksidenteve u bllokua qarkullimi duke shkaktuar radhë kilometrike në të dy anët e lëvizjes. Është dashur ndërhyrja e policisë që pas dy orësh rruga të hapet për lëvizjen e automjeteve. Ndërkohë aludohet se në këtë pjesë të bypassit të Murrizit hidhet vaj në rrugë kur nisin reshjet e shiut, duke bërë që makinat të rrëshqaisin pa e kuptuar. Informacionet e pakonfirmuara bëjnë me dije që vaji mund të hidhet nga banorë të zonës, ndërsa të tjerë dyshojnë se hidhet nga subjektet karrotrecë për të përfituar ekonomikisht. Gjithsesi i takon organeve kompetente të bëjë studimin e vendit ku shkaktohen shpeshherë aksidente dhe të dalin me masa të qarta për të rritur sigurinë në rrugën e Arbrit.