Një aksident i rëndë është shënuar rreth orës 12 të kësaj të hëne në rrugën e Arbrit. Një automjet i cili drejtohej nga një 45 vjeçare u përplas me barrierat anësore të rrugës së Arbrit. Ngjarja u regjistrua në fshatin Shkallë të Njësisë Administrative Xibër në Bashkinë e Klosit.

 Drejtuesja e mjetit është transportuar me autoambulancë drejt spitalit të traumës në Tiranë në gjendje të rëndë shënderësore.

Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po heton shkaqet e vërteta të aksidentit. Paraprakisht shkak dyshohet të jetë humbja e kontrollit nga ana e drejtueses së mjetit.

Ky është aksidenti i parë me pasoja kaq të rënda që pas hapjes së qarkullimit të automjeteve me datë 29 Nëntor të vitit të kaluar.

Efektivët e policisë rrugore e monitorojnë vazhdimisht këtë aks rrugor duke paralajmëruar drejtuesit e mjeteve që të respektojnë sinjalistikën rrugore gjatë lëvizjes në të.