Aksioni i nisur nga Bashkia Mat kundër lidhjeve të paligjshme dhe shpërdorimit të ujit të pijshëm në disa zona ka dhënë efektet e duhura. Kryebashkiaku i Matit Agron Malaj thotë se aksioni do të përvijojë misionin e tij për përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm në mënyrë të barabartë për të gjithë, pa abuzuar me ligjin.
Kryebashkiaku Malaj shfrytëzon këtë prononcim për median tonë vizive për të sqaruar edhe njëherë publikun e gjerë se që prej 3 vitesh Uzina e Ferrokromit në Komsi, nuk furnizohet si dikur me ujin e pijshëm të qytetit Burrel, por e merr ujin nga burime të tjera alternative. Gjë që do të thotë se Uzina e Ferrokromit nuk ndikon aspak në furnizimin me ujë të pijshëm të qytetit të Burrelit.
Nga ana tjetër Bashkia Mat vijon investimet për të siguruar ujë të pijshëm 24 orë për qytetarët e saj përmes shtrimit të rrjetit të ri të ujësjellësit që do të zgjidhë problematikën disavjeçare të furnizimit me ujë të pijshëm për zonën urbane të Burrelit dhe për njësitë administrative Derjan e Rukaj.