80-VJEÇARI NUK I NDAHET PUNËS, NIS ZIERJEN E RAKISË

80-VJEÇARI NUK I NDAHET PUNËS, NIS ZIERJEN E RAKISË

25 vitet e minierës nuk e kanë penguar 80-vjeçarin Skënder Hoxha, nga fshati Valikardhë e Njësisë Administrative Zerqan në Bashkinë Bulqizë, që pas daljes në pension të merret me punë të ndryshme. Në këtë periudhë Skënderi është duke zier rakinë e kumbullës. Ai është kujdesur që të mbledhë kumbullat e egra që zona i ka me shumicë dhe pretendon të nxjerrë deri në 3 kv raki, të cilën e shet në vende të ndryshme, por për momentin e ka bllokuar pasi çmimi thotë se është shumë i ulët. Nga ana tjetër, Skënderi kujton edhe kohën kur punonte në galeritë e nëntokës të minierës së Bulqizës. Ai deklaron se puna nëntokë është shumë e vështirë ndërsa djersa e minatorit as nuk ka qenë vlerësuar siç duhet e as nuk vlerësohet edhe në ditët e sotme. Po ashtu, ish-minatori Skënder Hoxha e quan të gabuar që kush del në pension të rikthehet në galeritë e tokës. Si Skënderi ka edhe shumë ish-minatorë të tjerë në zonën e Bulqizës që edhe pse janë në pension, vazhdojnë e punojnë.