Reth 250 fermer më shumë se vitin e kaluar kanë aplikuar këtë vit në skemën e naftës falas në bujqësi. Sipas të dhënave pranë Njësisë së Ekstensionit Bujqësor në Mat, këtë vit janë bërë 690 aplikime, ndërsa vitin e kaluar ishin 450.
Sipas specialistëve të kësaj zyre ka nisur ndarja e naftës për fermerët dhe kjo po bëhet sipas rendit alfabetik. Por sa është sipërfaqja e tokës që duhet të punohet me këtë numër përfituesish? Për të aplikuar në këtë skemë, minimalisht fermeri duhet të ketë në pronësi apo ta ketë marrë me qera një sipërfaqe toke prej 4 dynym.
Në rastin më minimal i bie që me 690 fermer të kenë aplikuar për një sipërfaqe prej afro 276 hektarësh, e nëse llogaritim një sipërfaqe mesatare prej 8 dynym, i bie që të jetë në skemë për tu punuar një sipërfaqe toke prej 552 hektarësh. Sipas rregullave të vendosura nga Ministria e Bujqësisë, fermerët që përfitojnë naftën falas duhet detyrimisht ta punojnë tokën bujqësore dhe ta mbjellin atë me kultura të ndryshme. Po ashtu, kjo ministri kontrollon fermerët nëse naftën e marrë e përdorin për këtë qëllim apo abuzojnë.
Nëse kjo naftë e përfituar nga fermerët aplikues do të përdoret për tokën bujqësore, kjo do të thotë se në rrethin Mat këtë vit do të ketë më shumë tokë të punuar dhe kultivuar. Por kjo mbetet për tu parë ditët në vijim….