Federimet në Federatën Shqiptare të Futbollit për merkaton e dimrit mbyllen me 31 Janar. Edhe pse zyrtarisht gara në këtë kategori do të rinisë të shtunën, klubet kanë mundësinë që deri me datë 31 Janar të mund të bëjnë federimet e lojtarëve të rinj pranë FSHF.

Drejtues të Klubit të Futbollit “Burreli” thanë se merkatoja do të qëndrojë e hapur dhe se po shihet mundësia e afrimeve të fundit për pjesën e mbetur të këtij sezoni. Megjithatë, emrat e sigurtë deri tani janë ato të zyrtarizuar dy ditë më parë si Enbia Shehu, Donati Toma, Gentian Binishi dhe dy brazilianët Dejvid Silva e Diogo Silva.

Ndërkohë, ndeshjet e kësaj fundjave do të mbyllin gjysmën e këtij sezoni, për të vijuar më pas me fazën tjetër e cila do të zgjasë për 13 javë të tjera.

Kategorinë e parë vijon ta kryesojë Dinamo me 24 pikë, ndjekur nga Flamurtari me 22 pikë dhe Korabi me 21 pikë.

Në fund të tabelës në vendin e 13 dhe 14 ndodhen Oriku dhe Besëlidhja e Lezhës.