E.C. nga Burreli u shoqërua në komisariatin numër 3 të kryeqytetit për akuzën e shkatërrimit të pronës dhe jo pak, por të pesë autoveturave. 30-vjeçari është pyetur gjerë e gjatë nga agjentët dhe përgjigjjet e tij janë dhënë nën efektin e alkolit. Pasi kanë pritur t’i dalë rakia, agjentët e kanë marrë sërisht në pyetje, pasi dyshonin që mund të kishte ndonjë konflikt të hershëm. Por asnjëri nga këto dyshime nuk u provua. Një nga agjentët që e ka marrë pyetje tregon për Gazetën “Si” se E.C. pasi ka konsumuar alkool në banesë, ka dalë për të blerë cigare në rrugën “Androkli Kostallari”. Pasi ka kërkuar gjithandej dhe kudo ka parë dyqane të mbyllura, nervat e kanë lënë. “Ne pamë një djalë që bërtiste dhe shante për Covidin dhe shante me fjalor ofendues”, tregoi në polici një banor që ka përshkruar se si më pas i riu i acaruar ka qëlluar me grushte makina të ndryshme të parkuara në lagje. Siç rezultoi më pas, kur në vendngjarje mbërritën patrullat, i riu për të shfryrë nervat kishte dëmtuar pesë automjete.

“Pasi shau qytetarët që e shikonin të habitur, 30-vjecari ka thyer pasqyrat e pesë automjeteve”, tregon për “Si” njëri nga agjentët që këqyri dhe mbajti procesverbal të konfliktit mes një njeriu dhe pesë automjeteve.

Çfarë deklaroi i dehuri?
Pasi i ka dalë rakia e shtëpisë, i shoqëruari në komisariat ka pranuar gjithçka. “Isha i dehur, nuk kam konflikte me askënd. Nuk di se si ndodhi, humba qetësinë dhe po bërtisja, por dikush më tha mos e ngri zërin mos bërtit, atëherë fillova të thyeja çdo gjë”, është rrëfyer ai. Policia deklaron për Gazetën “Si” se mori deklaratat e secilit prej pronarëve të mjeteve të dëmtuara, të cilët konfirmuan se nuk kishin asnjë njohje me të shoqëruarin dhe asnjë konflikt me të. Në këto rrethana 30-vjeçari nga Burreli me banim në Tiranë, do të hetohet në gjendje të lirë për shkatërrim prone.