Numri i të infektuarve me Covid-19 në Qarkun Dibër po vjen në rritje prej një jave. Një ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale raportoi 22 raste të reja në Qarkun Dibër.

10 të infektuar u zbuluan në Dibër, 9 në Bulqizë dhe tre raste në Mat, duke e çuar numrin në total të të infektuarve aktiv në të gjithë qarkun në 63.

Prej të paktën një jave numri i infektimeve po rritet çdo ditë në vendin tonë, ndërsa nuk i ka shpëtuar as Qarku Dibër i cili gjendet i renditur i parafundit nga 12 qarqet e vendit.

Autoritetet shëndetësore vijojnë tju bëjnë apel qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm dhe të mos neglizhojnë asnjë shenjë të SarsCov2, port ë kontaktojnë menjëherë me mjekun e familjes.

Nisur nga rritja e numrit të qytetarëve të prekur nga Covid19, Ministria e Shëndetësisë i bën sërish thirrje qytetarëve të mos neglizhojnë vaksinimin anticovid, posaçërisht në këtë periudhë të rritjes së kontakteve, për shkak të lëvizjeve përgjatë sezonit veror.

Çdo person mbi 12 vjeç, mund të vaksinohet në qendrat shëndetësore në të gjithë vendin. Gjithashtu MSHMS apelon të gjithë qytetarët e vaksinuar, që të drejtohen në qendrat shëndetësore, për t’u vaksinuar me dozën përforcuese.