20 persona kanë vdekur dhe 26 të tjerë janë plagosur pas të shtënave me armë zjarri në El Paso të Teksasit (SHBA).
Masakra ndodhi në një dyqan Walmart pranë qendrës tregtare Cielo Vista, disa kilometra larg kufirit me Meksikën. Një 21-vjeçar me banim në Allen të Dallasit është arrestuar për këtë masakër. Sipas mediave amerikane ai quhet Patrick Crusius.
Imazhet e kamerave të sigurisë tregojnë të riun me një bluzë të zezë, me mbrojtëse për veshët dhe me një kallashnikov në dorë.
Presidenti amerikan, Donald Trump e konsideroi sulmin e përgjakshëm si një “akt të pajustifikueshëm burracakërie”.
Ende nuk janë identifikuar viktimat e sulmit. Gjithsesi, Presidenti i Meksikës, Manuel Lopez Obrador, tha se mes të vrarëve janë edhe 3 meksikanë.
Policia dhe FBI po hetojnë nëse një shkrim i shpërndarë në mënyrë anonime në një forum “online” ka si autor vrasësin. Në të thuhej se sulmi kishte si objektiv komunitetin hispanik të zonës.
21-vjeçari është i vetmi i dyshuar për këtë masakër.