Mat, këshilli bashkiak nuk miraton kërkesën e MTM për heqje nga fondi pyjor e kollusor në Qashtamë

0
17

Këshilli i Bashkisë së Matit vendosi të mos miratojë heqjen nga fondi pyjor e kollusor të një sipërfaqeje në vendin e quajtur Qaf-shtamë, për shfrytëzsim të të mineralit gëlqeror të mermerizuar.

Dhjetra banorë të Njësisë Administrative Komsi në Bashkinë e Matit, kishin kundërshtuar në mënyrë të vazhdueshme lejen e dhënë nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, duke pretenduar që ky aktivitet do të shkaktonte dëme të mëdha në mjedis.

Banorët ishin pjesmarrës edhe në mbledhjen e kësaj të Hëne në Këshillin e Bashkisë Mat, ku ndoqën nga afër shqyrtimin e kërkesës për heqje nga fondi pyjor e kollusor të sipërfaqes prej 0.56 hektar në qafshtamë. Banorët i argumentuan këshillit pos dëmeve që sipas tyre i shkaktohen zonës edhe mungesën e transparencës dhe zhvillimit të dëgjesave publike nga ana e firmës.

Këshilltarët morën në konsideratë pretendimet e banorëve të cilët ishin të pranishëm të shumtë në numër. Nisur nga kjo, këshilli vendosi me shumicë votash të mos miratojë kërkesën e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për heqje nga fondi pyjor e kollusor të sipërfaqes prej 0.56 hektar për shfrytëzim minerali gëlqeror të mermerizuar në objektin Qashtamë sipas lejes minerare nr.1826, datë 12.12.2016 të miratuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.