Prefektët e të gjitha Qarqave të Shqipërisë u ndalën këtë të shtunë në Mat, gjatë vizitës së tyre dy ditore në Qarkun e Dibrës. Fillimisht prefektët u pritën nga Kryetari i Bashkisë së Matit, Agron Malaj e nënprefekti Hasan Pasha. Në takimin e zhvilluar në ambjentet e sallës së këshillit bashkiak, prefektët u njohën me resurset e Matit, në aspektin historik dhe atë turistik. Përgjegjësja e Sektorit të Turizmit, Trashëgimisë e Arkeologjike në Bashkinë Mat, Suzana Kurti, prezantoi një material të përmbledhur të historisë së Matit dhe resurseve të turizmit që mbart treva.
Prefektët patën mundësinë ta njohin zonën më shumë nga se e njihnin pa ardhur në Mat. Më pas vizita e 12 prefektëve të qarqeve të Shqipërisë u zhvendos në Muzeun Historik Mat. Edhe këtu ata u njohën më me nga afër me detaje të historisë së Matit si dhe figurat që kanë kontribuar ndër shekuj. Prefektja e Tiranës, Suzana Jahollari tha se këto vizita shërbejnë jo vetëm për të njohur më mirë vendin tonë, por edhe për të shkëmbyer eksperienca të ndryshme.
Kjo është hera e parë që në Mat mblidhen 12 drejtuesit e Qarqeve të Shqipërisë.