10 ditë nga ngjarja, ende asnjë autor të dyshuar për djegien e makinës së gazetarit Curri në Bulqizë
Edhe pse kanë kaluar dhjetë ditë nga ngjarja e Bulqizës ku u dogj automjeti i gazetarit Sami Curri autoritetet nuk kanë ende asnjë person të dyshuar për këtë çështje. Dosja tashmë është në duart e Prokurorisë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, por pa autor të dyshuar. Në mbështetje të gazetarit Curri dolën të gjitha organizatat e gazetarëve në Shqipëri e më gjerë, përfshirë edhe delegacionin e Bashkimit Europian, i cili zhvilloi një vizitë në Bulqizë. Ata kërkuan zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes nga organet e drejtësisë dhe vendosjen e autorëve përpara përgjegjësisë ligjore, duke e cilësuar këtë rast si një provë për sigurinë e gazetarëve dhe funksionimin e shtetit ligjor. Gjatë këtij takimi, përfaqësuesit e organizatave dhe trupit diplomatik shprehën solidaritet të plotë me gazetarin Sami Curri dhe inkurajuan vijimin e raportimit në shërbim të interesit publik. Ata theksuan se gazetaria lokale përballet me sfida të veçanta, përfshirë burimet e kufizuara dhe presionet e drejtpërdrejta, sidomos kur trajton çështje si qeverisja vendore, industria minerare, kushtet e punës dhe ndikimi në mjedis.