
Klubi i Futbollit Burreli nuk ka humbur shumë kohë për të vendosur se kush do të jetë pasuesi i Saimir Patushit. Matjanët kanë vendosur që pjesën e mbetur të kampionatit të ja besojnë Alert Alcanit i cili deri tani ka qenë zëvendëstrajner i ekipit të Tërbunit të Pukës. Burime për Mat Televizion thanë se është arritur dakordësia mes klubit dhe Alcanit për të marrë përgjegjësinë e drejtimit të skuadrës në pjesën në vazhdim të sezonit 2021 – 2022. Mësohet se vetë teknikun e ka ndjekur skuadrën nga afër të dielën në Pezë Helmës ku matjanët u përballën me skuadrën e Vorës, ndeshje e cila përfundoi në barazim pa gola.
Sakaq, mësohet se ish trajneri i Burrelit që e ka drejtuar skuadrën nga Tetori i vititi 2019 deri në Janar të vitit 2020, do të prezantohet zyrtarisht me ekipin të Martën në ambjentet e stadiumit “Liri Ballabani”.
Trajnerit të ri Alcani do t’i duhet të nisë menjëherë nga puna pasi ndeshja e radhës është ndaj Apolonisë së Fierit, e cila ka grumbulluar deri tani plot 16 pikë dhe renditet dy vende më lart se ekipi i Burrelit që ka grumbulluar në 12 javë vetëm 14 pikë.