
Nëse dikur zonën e njohur si Qaf Murrize në fshatin Murrize të Njësisë Administrative Xibër në Bashkinë e Klosit e vizitonin me ekskursione vetëm nxënësit, me hapjen e rrugës së Arbrit ajo po frekuentohet masivisht nga banorë të Tiranës. Fundjava e gjen të tejmbushur këtë zonë ku dhjetra automjete e qindra qytetar shijojnë bukurinë e zonës dhe freskinë e pemëve të saj. E shtuna dhe e Diela ka pikun më të madh të vizitorëve të cilët kalojnë një pjesë të mirë të ditës me shoqërinë apo me familjen. Vizitorët e kësaj fundjave thonë se çdo fundjavë i largohen zhurmës e pluhurit të qytetit. Por nga ana tjetër, ata kanë edhe një apel për të gjithë frekuentuesit e kësaj zone, që mbeturinat që krijojnë t’i marrin me vete kur të kthehen në shtëpitë e tyre.
Tashmë Qaf e Murrizes është kthyer në një destinacion ditor për të gjithë ata që duan të kalojnë një ditë të qetë në natyrë.