Rekamë

Pyjet halore dhe me dushqe në Bashkinë e Klosit prej ditësh po kërcënohen nga flakët. Një zjarr i fuqishëm është aktivizuar këtë të hënë mbi fshatin Shëngjun. Flakët kanë përfshirë një masiv me dushqe ku të ndihmuara edhe nga era e fortë janë përhapur me shpejtësi të madhe.

Ndërkohë, një ditë më parë një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu masivin pyjor me pishë të zezë në zonën e njohur si Qafa e Buallit në kufirin administrativ midis Bashkisë Klos dhe asaj Bulqizë. Zjarri është përhapur me shpejtësi për shkak të erës së fortë duke u shtrirë në një sipërfaqe prej disa hektarësh.

Për shkak të djegies së masivit me pishë të zezë, tymi u përhapur shumë duke mbuluar qytetin e Bulqizës ndërsa ka krijuar edhe vështirësi në qarkullimim e automjeteve pasi ndodhej ngjitur me rrugën nacionale Klos – Bulqizë, në fshatin Plan i Bardhë.

Për të shuar flakët në vendin e ngjarjes ishin Shërbimi zjarrfikës i Klosit dhe ai i Bulqizës. Terreni i vështirë e ka bërë të pamundur fikjen me automjet, ndërsa me pompa uji shpine e mjete rrethanore. Policia shkoi në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për shkaqet e zjarrit në këtë masiv pyjor.

Në fakt kjo është e disata herë që i vihet flaka kësaj zone, ndërsa për këtë nuk ka patur asnjë përgjegjës të nxjerrë para drejtësisë.

Enver Doçi