
Zjarret në masivet pyjore të vendit tonë janë problemi më i madh me të cilin përballen strukturat vendore e shtetërore gjatë muajve të verës. Qindra hektar pyje me pemë halore apo dushqe digjen çdo vit, kryesisht gjatë muajve të verës. Kësaj situate nuk i shpëton as qarku i Dibrës e për këtë prefekti ka mbledhur strukturat në të katërt bashkitë e këtij qarku. Nënprefekti i Bulqizës, Avni Muliu tha se në takimin e zhvilluar në Peshkopi është kërkuar një angazhim më i madh nga vitet e kaluara për të menaxhuar më mirë situatat e krijuara nga zjarret.
Nga ana tjetër Muliu tha se edhe policisë së shtetit i është kërkuar angazhim më i madh për gjetjen dhe vendosjen para ligjit për të gjithë ata që ndezin zjarre me qëllim në masivet pyjore.
Në të shumtën e rasteve zjarret e shkaktuara janë të qëllimshme, ndërsa shumë pak persona janë vënë para ligjit për këtë vepër.