Zjarr në malin e Strikçanit në Bulqizë

Zjarr në malin e Strikçanit në Bulqizë

Pavarësisht sensibilizimit institucional dhe mediatik, Qarku Dibër vijon të përballet me vatra zjarri në të gjithë territorin. Prej javësh vatra të shumta zjarresh janë aktivizuar në të katër bashkitë e Qarkut Dibër, ndërsa është dashur ndërhyrja e autoriteteve vendore për t'i shuar. Një vatër e re zjarri është aktivizuar këtë të premte në malin e fshatit Strikçan në Njësinë Administrative Zerqan në Bashkinë Bulqizë. Ndryshe nga vatrat e tjera të zjarrit të mëparshme që janë aktivizuar kryesisht pranë kullotave ku banorët po digjnin mbeturinat, vatra e kësaj të premteje duket të jetë e qëllimshme për shkak se është në shpatin e malit dhe nuk ka asnjë lidhje me kullotat që pastrohen zakonisht në këtë periudhë. Punonjës të shërbimit pyjor e atij zjarrfikës të Bashkisë Bulqizë janë nisur drejt vatrës së zjarrit për të mos lejuar përhapjen e mëtejshme të tij. Dëmet e shkaktuara deri më tani nga zjarret janë të mëdha në të katër bashkitë e Qarkut Dibër. Ndërkohë për zjarrvëniet e muajve të fundit janë arrestuar e proceduar penalisht disa persona në Bulqizë dhe në Dibër.