Zhvillohet mbledhja e fundit e Këshillit Bashkiak Mat, miratohet buxheti i 2026
Një ditë para mbylljes së vitit 2025, Këshilli bashkiak Mat zhvilloi mbledhjen jashtë radhe me disa pika në rendin e ditës, mes të cilave edhe projekt-buxheti i vitit të ardhshëm.
Pas miratimit në parim të rendit të ditës, këshilli nisi shqyrtimin e pikave një e nga një. Këshilltarët e pranishëm në këtë mbledhje me shumicë votash të nevojshme miratuan projekt-vendimin e nivelit të pagave të punonjësve të Bashkisë Mat për vitin 2026, projekt-vendimin e Paketës Fiskale të Bashkisë Mat për vitin 2026, projekt-vendimin e kalendarit të Buxhetit Afatmesëm 2027-2029 dhe buxheti vjetor 2027, projekt-vendimin e Programit Buxhetor Afatmesëm përfundimtar 2026-2028, projekt-vendimin e Buxhetit të Bashkisë Mat për vitin 2026, projekt-vendimin e 41 familjeve përfituese nga programi strehimit “Subvencion Qiraje”, projekt-vendimin e marrëveshjes së bashkëpunimit (TIP) midis bashkisë Mat dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe projekt-vendimin e një shtese në buxhetin e vitit 2025 për Sportin.
Pas miratimit në këshillin bashkiak, projekt-vendimet e kthyera në vendime pritet të konfirmohen nga institucioni i prefektit e më pas të nisë zbatimi i tyre.