Zhvillohet aksioni përmujor i pastrimit në Mat

0

  Bashkia e Matit ka vijuar me aksionin përmujor të pastrimit të territorit nga mbeturinat e hedhura pa kriter. Të ndarë sipas një grafiku të përcaktuar që me nisjen e këtij aksioni punonjësit e administratës së Bashkisë Mat, pastruan rrugët e qytetit të Burrelit, nga sheshi “Kastriotët” para godinës së bashkisë, kthesa e Daçit, ish agjensia etj.

Po ashtu, pjesë e këtij aksioni janë bërë edhe rrugët nacionale si ajo Burrel – Skuraj dhe Burrel – Ura e Lusës, kufiri ndarës administrative mes Bashkisë Mat e asaj Klos. Punonjësit e njësive administrative janë përqendruar në qendrat e njësive për të pastruar mbeturinat e hedhura vend e pa vend.

Edhe punonjës të institucioneve qëndrore në nivel vendor u angazhuan në aksionin e pastrimit që mbahet të premten e fundit të çdo muaji.

Ajo që vihet re është ndërgjegjësimi i vogël i qytetarëve, të cilët jo vetëm që dënjojnë të bëhen pjesë e nismës për të mbajtur pastër mjedisin me anë të pjesmarrjes në aksion, por vijojnë të hedhin mbeturinat pa kriter, ndonëse kudo janë vendosur kontejner për hedhjen e tyre.