Është zgjidhur pas disa ditësh problemi i kalimit të pagave për personalin shëndetësor dhe punonjës të tjerë të spitalit Rajonal në Dibër.
Zgjidhja e ngërçit të ktijuar prej afro 3 javësh është bërë nga drejtori i ri i këtij spitali, Ruzhdi Deda i cili e mori këtë detyrë javën e kaluar.
Mjek e personeli tjetër në spitalin Rajonal Dibër kishin denoncuar vazhdimisht se nuk ju kishte kaluar paga e muajit Janar, ndonëse lekët duhej të ishin në llogaritë bankare që në datën 5 Shkurt.
Dyshohet se pikërisht për këtë problem pati përplasje mes ish drejtoreshës së Spitalit Irini Shehu dhe shefit të financës Shaban Uklala. Burime bëjnë me dije se nisja e konfliktit dyshohet të ketë qenë një urdhër për të mos kaluar pagën e Janarit për personalin, e teksa Uklala ka kundërshtuar, dyshohet se Shehu e ka goditur me një send të fortë në fytyrë duke i shkaktuar plagë.
Në krye të spitalit Rajonal Dibër është emëruar Ruzhdi Deda i cili mbante detyrën e zv/kryetarit të Bashkisë Dibër për një periudhë më shumë se dy vjeçare. Problemet e drejtueses së mëparshme të këtij institucioni duket që kanë qenë të shumta pasi ka patur mosmarrëveshje me mjek, infermier etj.