Pasuesi i ish kryebashkiakut të Bulqizës Lefter Alla për kohën e mbetur të mandatit 2019 – 2023, do të përcaktohet mes dy pikave të nenit 61 të ligjit 139/2015 për vetëqeverisjen vendore. Në pikën 5. Të këtij neni thuhet:
“Me përfundimin para kohe të mandatit të kryetarit të bashkisë, sipas këtij neni, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, funksionet e tij i kryen zëvendëskryetari i bashkisë. Në rastet kur ka më shumë se një zëvendëskryetar bashkie, këshilli përkatës, me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij, cakton një nga zëvendëskryetarët të kryejë funksionet e kryetarit deri në zgjedhjen e kryetarit të ri”.
Ndërsa pika 6 e po nenit 61 përcakton se:
“Në rastin kur vendi i kryetarit të bashkisë mbetet vakant gjatë 6 muajve të fundit të mandatit të tij, këshilli përkatës zgjedh nga radhët e veta një kryetar të ri me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij, i cili ushtron funksionet deri në përfundim të mandatit”.
Nëse do të aplikohet pika 6, ateherë duhet të mblidhet këshilli i Bashkisë Bulqizë dhe të zgjedhë një nga radhët e veta për drejtimin e bashkisë deri në betimin e kryetarit që do të dalë nga zgjedhjet e 14 Majit, në të kundërt kompetencat do t’i marrë Haxhi Pulja i cili aktualisht është i vetmi zëvendëskryetar në detyrë, pasi Enkeleda Lleshi që ishte zëvendëskryetarja e dytë ndodhet e arrestuar.