Një grupim i quajtur “Guard Tower” apo “Kulla e rojes”, dyshohet se ka rekrutuar familjen Josifi nga Përmeti që çoi në vetëflijimin e Zhaneta Josifit dhe njërës prej vajzave. Burime nga Prokuroria bëjnë me dije se gjithë familja është rekrutuar nga ky sekt rreth 6 vite më parë në Tiranë. Pas vetëvrasjes së kryefamiljarit, Lluka Josifi, Zhanetës dhe dy vajzave u është dhënë ndihmë financiare nga ky sekt duke bërë që të krijonin marrëdhënie të ngushtë me to.

Ky grupim, pjesë e Dëshmitarëve të Jehovait, ka për qëllim afrimin e sa më shumë njerëzve. Në publikimet e shumta që gjenden online për këtë sekt bie në sy përgjigjja e pyetjes çfarë ndodh kur vdesim.

“Bibla mëson se Perëndia mund t’i zgjojë të vdekurit, si të thuash nga gjumi, dhe t’i rikthejë në jetë. Për ata që Perëndia ringjall, vdekja nuk është fundi i gjithçkaje”.

Dyshohet se ky sekt mund të kenë predikuar dhe aplikuar metoda ekstreme, duke çuar në vetëflijimin e Zhaneta dhe Anisa Josifit. Të njëjtat burime thanë se po hetohen personat që kanë hyrë muajt e fundit në banesën e familjes Josifi në Kombinat, të cilët mendohet se kanë ndjekur ritualin për ringjalljen e Anisa Josifit.

Këta persona dyshohet se ishin në dijeni për vdekjen e 30-vjeçares dhe i kanë sugjeruar edhe nënës dhe vajzës së saj të sakrifikonin, duke mos ngrënë, apo duke mos dalë fare nga banesa.

Policia dhe prokuroria presin dëshminë e Blerta Josifit për të mësuar si humbi jetën Anisa. Burimet thanë se nëse vërtetohet se persona të jashtëm kanë hyrë në banesë dhe kanë sugjeruar të ndiqet një ritual i caktuar, atëherë ndaj tyre mund të ngrihet edhe akuzë për vrasje./ tvklan.al