Zbulohet laboratori për falsifikimin e pasaportave në Tiranë! Vihen në pranga babë e bir

Zbulohet laboratori për falsifikimin e pasaportave në Tiranë! Vihen në pranga babë e bir

Seksioni i Hetimit të Trafiqeve të Paligjshme, nën drejtimin e Prokurorisë, ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Identiteti”. Në kuadër të këtij operacioni, u zbulua një ambient i përshtatur si laborator për falsifikimin e dokumenteve të ndryshme me qëllim dhënien e ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit. U sekuestruan dokumente të dyshuara të falsifikuara dhe sende të tjera të kundërligjshme që shërbenin për ushtrimin e kësaj veprimtarie kriminale.

Dy shtetasë (babë e bir) u vunë në pranga, njëri prej tyre aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, të dhënë nga SPAK, si pjesëtar i një grupi kriminal për të njëjtën veprimtari. Po ashtu, u procedua penalisht edhe bashkëpunëtori i tyre. Si rezultat i një hetimi 7-mujor të ndjekur me metoda speciale, u arrestuan shtetasit Y. B., 65 vjeç, dhe P. B., 45 vjeç, ndërsa u procedua penalisht shtetasi Sh. L., 62 vjeç, i cili dyshohet si bashkëpunëtor i tyre.

Gjatë kontrollit të banesës, u zbulua një ambient i fshehtë, i kthyer në laborator për prodhimin dhe falsifikimin e dokumenteve të ndryshme dhe pasaportave. Hetimet treguan se prodhimi i një pasaporte të falsifikuar me shtetësi të huaj arrinte në vlera nga 15.000 deri në 20.000 euro. Këto pasaporta dyshohet se përdoreshin për kalimin e paligjshëm drejt vendeve të Bashkimit Evropian ose SHBA. Aktualisht, po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.