
Tetë raste të reja të të infektuarish me Covid-19 në Qarkun Dibër janë deklaruar zyrtarisht një ditë më parë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Katër raste janë zbuluar në Bashkinë Mat dhe katër në Bashkinë Dibër. Po gjatë këtyre ditëve ka patur edhe të shëruar, ndërsa numri i qytetarëve aktiv me Covid-19 shkon në 30 në të gjithë qarkun.
Mjekët specialist këshillojnë që të gjithë të infektuarit të vetëkarantohen dhe të mos bëhen shkak për përhapjen e mëtejshme të virusit. Po ashtu mjekët ju bëjnë apel të gjithë qytetarëve që nëse dyshojnë se janë të infektuar me Covid-19 të kontaktojnë menjëherë me mjekun e familjes apo në numrin unik të urgjencës kombëtare 127.
Nisur nga rritja e numrit të qytetarëve të prekur nga Covid19, Ministria e Shëndetësisë i bën sërish thirrje qytetarëve të mos neglizhojnë vaksinimin anticovid, posaçërisht në këtë periudhë të rritjes së kontakteve, për shkak të lëvizjeve përgjatë sezonit veror.
Çdo person mbi 12 vjeç, mund të vaksinohet në qendrat shëndetësore në të gjithë vendin. Gjithashtu MSHMS apelon të gjithë qytetarët e vaksinuar, që të drejtohen në qendrat shëndetësore, për t’u vaksinuar me dozën përforcuese.