
Lëvizja në rrugët e brendshme të qytetit të Peshkopisë nuk është aspak e lehtë për këmbësorët. Qytetarët që duhet të kalojnë në çdo rrugë, përballen me bllokim të trotuareve qoftë nga tregtarët ambulant e qoftë nga ata që kanë dyqane por mallrat i nxjerrin jashtë. Një situatë e tillë vazhdon prej vitesh në këtë qytet ku në mungesë të një tregu të mirëfilltë për shitjen e prodhimeve bujqësore, banorët që jetojnë në fshatra, tregtojnë në trotuar. Por pengesa më e madhe është për personat me aftësi të kufizuara dhe për nënat me fëmijë që përdorin karroca. Qytetarët shprehen se ky është një problem që bashkia duhet ta zgjidhë.
Një tjetër problematikë në rrugët e Peshkopisë është gjerësia e trotuareve e cila për shkak të ndërtimeve pa kriter, është shumë e vogël. Qytetarët detyrohen të lëvizin më shumë në rrugën ku kalojnë edhe makinat paralelisht.