Zagradi, sa afër dhe larg Peshkopisë, fshati i harruar mes maleve
Ndodhet vetëm 7 kilometra larg qytetit të peshkopisë, por fshati Zagrad është ndër më të harruarit në Bashkinë Dibër. Dikur në këtë fshat jetonin mbi 70 familje ndërsa sot kanë mbetur shumë pak. Arsyeja është e thjeshtë, mungesa totale e vëmendjes së pushtetit vendor ndër vite. I ndodhur majë malit si shumë fshatra të tjerë të Dibrës edhe Zagradi ka premisa të bëhet fshat turistik, por investimet e kanë penguar. Banorët e pakët të mbetur aty thonë se mbi 80% e fshatit është larguar, ndërsa kanë lënë pas rrënojat e banesave të tyre. Banorët janë bërë bashkë dhe kanë investuar në rrugën e brendshme të fshatit duke e shtruar me beton, por deri në hyrje të fshatit rruga është si mos më keq. Banorët thonë se për fushata elektorale gjatë këtyre 35 viteve mbushen me premtime, por drejtuesit vendor sapo të marrin mandatin nuk duken më aty. Banorët e mbetur në fshatin Zagrad thonë se nëse nuk do të ketë investime që do t’i shërbejnë të ardhmes atëherë edhe ata do të largohen si gjithë bashkëfshatarët e tjerë.