Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, gjykata e Dibrës pezullon seancat
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër ka pezulluar të gjitha seancat gjyqësore të planifikuara për këtë të martë. Pezullimi ka ardhur në shenjë solidariteti me kolegët e Gjykatës së Apelit në Tiranë ku ditën e hënë, më 6 tetor u vra në sallën e gjyqit gjyqtari Astrit Kalaja. Ndërkohë mësohet se ky bojkot do të vijojë deri me datë 10 Tetor. Nuk dihet nëse kjo ka të bëjë me shenjë proteste të organeve të drejtësisë që kërkojnë më shumë siguri ndaj gjyqtarëve apo është thjeshtë solidarizim me gjykatat e tjera.
Ndërkohë Dhoma e Avokatisë Dibër bën me përgjegjësi disa institucione për vrasjen e rëndë të ndodhur ditën e hënë në Gjykatën e Apelit në Tiranë. Kreu i kësaj dhome Ismail Uka tha se ngjarja është përgjegjësi e Këshillit të Lartë Gjyqësorë, Ministrisë së Brendshme por dhe e politikës. Uka shtoi se mungesa e sigurisë në institucionet e drejtësisë është kërcënim jo vetëm për njerëzit e sistemit gjyqësor por dhe për vetë demokracinë. Anatemimi i gjyqtarëve nga politika, tha Uka ka sjellë pasojën e vrasjes në detyrë të gjyqtarit të Apelit.