Banorët e fshatit Burim në Maqellarë të Dibrës janë njohur vetëm mëngjesin e kësaj të diele me vrasjen e 74 vjeçares nga nusja e djalit. Megjithëse ata kanë shkuar për ngushëllime që në momentin e vdekjes së Nazmies, familjarët nuk kanë treguar se bëhet fjalë

Ngjarja e rëndë që tronditi Maqellarën këtë të dielë dyshohet se ka ndodhur që pasditën e të Shtunës rreth orës 16:00. Banorë të fshatit Burim thanë se vrasja mund të ketë ndodhur nga një konflikt i momentit pasi nuk kanë dëgjuar për konflikte të mëparshme. Por ata thonë se për vrasje kanë mësuar mëngjesin e kësaj të diele pasi kanë menduar se ka vdekur në mënyrë natyrale.

44 vjeçarja Miranda Markja dyshohet se ka patur një konflikt të çastit ditën e djeshme rreth orës 16:00 me vjehrrën e saj Nazmien. Kanë qenë fëmijët të cilët kanë dëgjuar britmat e 74 vjeçares, por pa ditur se çfarë po ndodh. Vetëm pasi është kthyer djali në banesë i cili punonte në Maqellarë është marrë vesh ngjarja dhe është njoftuar policia. Vetë Miranda është munduar të fshehë krimin dhe nuk është larguar nga banesa derisa është arrestuar nga uniformat blu.

Ky është krimi i dytë brenda familjes në dy ditët e fundit në vendin tonë. Një ditë më parë 48 vjeçari Bilbil Shirja dogji të gjallë bashkëshorten e tij Fellenxa në makinë e më pas i dha fund jetës duke u vetëvarur në një pemë në fshatin Manskuri të Kavajës.