VLEN: Po luhet me jetët e qytetarëve! Akuzojnë BDI-në për paqëndrueshmëri rreth “Safe City”

VLEN: Po luhet me jetët e qytetarëve! Akuzojnë BDI-në për paqëndrueshmëri rreth “Safe City”
Koalicioni VLEN ka reaguar ndaj qëndrimeve të BDI-së për sistemin “Safe City”, duke e akuzuar për mungesë serioziteti dhe paqartësi në një çështje që lidhet drejtpërdrejt me sigurinë publike. Në një deklaratë të veçantë, ky koalicion theksoi se pozita e paqartë e BDI-së pengon procesin dhe krijon pasiguri. Gjatë një seance kuvendare, deputeti Halil Snopçe akuzoi ministrin e Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, se me sistemin e “Safe City” po dëmtohen ekonomikisht qytetarët. Në përgjigje, ministri Toshkovski theksoi se nga fillimi i periudhës provuese të sistemit në Shkup, ka pasur një ulje të dukshme të numrit të viktimave në aksidentet rrugore, duke e paraqitur këtë si një sukses të rëndësishëm për sigurinë publike. Nga ana tjetër, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, e konfirmoi vendosmërinë e partisë së tij për të mos e mbështetur Ligjin për Kundërvajtje, i cili është i nevojshëm për zbatimin e plotë të sistemit “Safe City”. Ai shprehu se pushteti nuk po përpiqet të gjejë zgjidhje inclusive dhe se ligji në formën aktuale nuk merr parasysh të gjitha shqetësimet. Përballë kësaj, kanë dalë në pah edhe mendime të ndryshme brenda vetë BDI-së. Koordinatorja e grupit parlamentar të Frontit Europian, Rina Ajdari, shprehu mbështetje parimore për projektin, duke theksuar se kanë disa vërejtje. Ndërkohë, deputeti Sadulla Duraku deklaroi se pa përmirësime të caktuara nuk do ta votojë ligjin. Zëdhënësja e BDI-së, Arta Bilalli Zendeli, raportoi se një takim i nivelit të lartë mes liderit Ali Ahmetit dhe kryeministrit Hristijan Mickoskit është i pritshëm në të ardhmen e afërt, për të diskutuar çështje të rëndësishme, duke përfshirë edhe proceset që lidhen me “Safe City”. Ajo theksoi se ky takim është i rëndësishëm për të shtyrë përpara disa procese vendimtare. Në këtë klimë, Kuvendi ende nuk e ka vendosur në rendin e ditës ligjin për kundërvajtje. Për miratimin e këtij ligji nevojiten 80 vota, ndërsa deri më tani nuk është e qartë nëse pushteti i ka të siguruara. Ministria e Punëve të Brendshme ka nisur periudhën e testimit dhe verifikimit të kamerave, duke synuar që sistemi të hyjë zyrtarisht në fuqi nga data 1 shkurt.