Vijon rezistenca e banorëve të Kurdarisë ndaj HEC-it
Banorët e fshatit Kurdari por edhe fshatrave të tjerë të Njësisë Administrative Suç në Bashkinë e Klosit kanë vijuar rezistencën e tyre kundër ndërtimit të një hidrocentrali në përroin e “Lusës” siç e quajnë ata. Dhjetra banorë u mblodhën mëngjesin e së mërkurës duke bllokuar mjetet e kompanisë “Doma”, të cilat ishin nisur për në kantierin e ndërtimit. Rezistenca e banorëve ka zgjatur disa orë derisa ka ndërhyrë policia e shtetit. Më pas banorët e zhvendosën protestën e tyre para komisariatit të policisë Mat. Banorët akuzojnë kompaninë se ka marrë me vete njerëz të dyshimtë nga Shkodra e Durrësi për t’i friksuar, ndërsa deklarojnë se nuk do të ndalen për asnjë çmim dhe se nuk do ta lejojnë kurrë ndërtimin e HEC-it në përroin e “Lusës”. Prej 8 muajsh banorët e Kurdarisë në Klos janë në betejë me kompaninë që kërkon të ndërtojë hidrocentral në përroin e “Lusës”. Ata po përballen edhe në shkallët e gjyqësorit, ndërsa rezistenca në terren është e vazhdueshme.