Vijon ndotja në rrugën nacionale Qaf Buall – Klos
Asnjë masë nuk është marrë ende për ndotjen që po i shkaktohet mjedisit në aksin rrugor nacional Qaf Buall – Klos. Mbeturina nga më të ndryshmet vijojnë të hidhen që nga fshati Plan i Bardhë e deri në fshatin Kloskatund.
Më e ndotur vijon të jetë zona e njohur si Qaf Dushk, ku më problematike është pranë pishave. Në këtë zonë janë hedhur vazhdimisht mbeturina, por me rënien e numrit të lëvizjes së automjeteve pasi kalojnë shumica nga rruga e Arbrit, ndotja është shtuar pasi ndotësit i shpëtojnë syrit të kalimtarëve.
Ndotje është shkaktuar edhe në fshatin Kloskatund. Jashtë kameras banorët thonë se vazhdimisht shohin automjete që shkarkojnë mbeturina nga inertet e deri tek plastiket.
Me gjithë apelin e bërë ndaj autoriteteve për të kontrolluar dhe monitoruar zonën, deri tani nuk është ndëshkuar askush për ndotje të mjedisit, si dhe nuk është ndaluar aspak ky fenomen që vijon të jetë shqetësues dhe i rrezikshëm për shëndetin e banorëve.