Vijon lufta me flakët në Lurë, dhjetra persona të angazhuar, por era e fortë pengon shuarjen e zjarrit

Vijon lufta me flakët në Lurë, dhjetra persona të angazhuar, por era e fortë pengon shuarjen e zjarrit

Era e fortë, e cila ka nisur prej ditës së martë, ka favorizuar përhapjen e vatrës së zjarrit në Parkun Kombëtarë të Lurës në afërsi të liqenit të luleve.

Prej tri ditësh dhjetra forca të Agjensisë së Zonave të Mborjtura, bashkisë Dibër, policisë së shtetit dhe banorë të zonës janë në luftë me flakët, por në disfavor kanë erën e fortë, e cila nuk lejon izolimin e vatrës së zjarrit.

Edhe ndërhyrja të martën e helikopterit të Ministrisë së Mbrojtjes nuk ka dhënë efektin e pritshëm pasi flakët janë përhapur me shpejtësi të madhe. Burime nga grupet e aktivizuara në terren për fikjen e zjarrit thanë se puna po vijon pa ndërprerje nga toka, ku ekipet po tentojnë që të izolojnë përhapjen e flakëve dhe të minimizojnë sa më shumë dëmin që shkaktohet nga zjarri.

Ndërkohë, burimet nga Mbrojtja Civile në Dibër thanë se nëse nuk do të mund ta izolojnë vetë zjarrin e rënë në Parkun Kombëtar të Lurës do të detyrohen të kërkojnë ndihmë nga forcat e armatosura për t’ju bashkuar ekipeve të tjera në terren.

Sa i përket zjarrit në malin e fshatit Peladhi ai është izoluar mbrëmjen e së martës, por dyshumet janë se mund të riaktivizohet për shkak të erës së fortë që po fryn edhe në këtë zonë.