Vijon fluksi i lartë i kamionëve në doganën e Bllatës dhe rrugën e Arbrit

Vijon fluksi i lartë i kamionëve në doganën e Bllatës dhe rrugën e Arbrit

Edhe gjatë mbrëmjes së të enjtes pati një fluks të shtuar të automjeteve të tonazhit të rëndë të transportit ndërkombëtar që hyjnë nga pika kufitare e Bllatës. Dhjetra kamionë, me dhe pa ngarkesë, kanë hyrë gjatë ditëve të fundit nga kjo pikë doganore për shkak të dëmtimit të rrugës nacionale Librazhd – Pogradec. Autoritetet shqiptare në marrëveshje me ato të Maqedonisë së Veriut kanë devijuar trafikun e automjeteve të transportit ndërkombëtar nëpërmjet pikës kufitare të Qaf Thanës – Maqedoni e Veriut – Bllatë Dibër – Rruga e Arbrit. Sipas të dhënave nga pika doganore e Bllatës, çdo 24 orë kalojnë mbi 250 mjete të transportit ndërkombëtar. Po ashtu, mësohet se për t’i ardhur në ndihmë personelit modest të kësaj pike doganore, janë dërguar 3 doganierë dhe një patrullë e antikontrabandës. Shtimi i mjeteve të tonazhit të rëndë ka rritur fluksin në rrugën e Arbrit dhe po bëhet pengesë për lëvizjen e automjeteve të vogla, për shkak se mjetet e tonazhit të rëndë qarkullojnë në autokolonë dhe është e pamundur parakalimi i tyre.