Vijojnë zjarret në Lurë e Bulqizë, rritet sipërfaqja e djegur

Vijojnë zjarret në Lurë e Bulqizë, rritet sipërfaqja e djegur

Sipërfaqja e djegur nga zjarri në Parkun Kombëtar të Lurës ka shkuar në disa hektarë.

Flakët vijojnë të jenë aktive prej katër ditësh ndërsa po ndihmohen nga era e fortë që po fryn në zonë. Ndërhyrja nga toka nuk ka dhënë efektin e duhur pasi për shkak të terrenit të thepisur ka qenë e pamundur që flakët të neutralizohen.

Ndërkohë, në terren vijojnë të jenë me dhjetra forca të shërbimit zjarrfikës të Bashkisë Dibër, të Njësisë Administrative Lurë, të Policisë së Shtetit, Agjensisë së Zonave të Mbrojtura dhe banorë të zonës.

Situata mbetet shqetësuese për shkak se zjarri ka përfshirë një masiv me pyje ahu të rinj, të cilët janë shumë pranë njëri – tjetrit. Disa hektarë janë përshkuar nga flakët deri këtë të enjte në afërsi të liqenit të Luleve.

Po ashtu, në Bulqizë është riaktivizuar vatra e zjarrit në malin e fshatit Peladhi. Edhe në këtë zonë disa hektarë janë përshkuar nga flakët të cilat ndihmohen nga era e fortë dhe përhapen me shpejtësi.

Autoritetet vendore janë në terren dhe po punojnë për shuarjen e flakëve të zjarrit edhe në këtë zonë.