Reshjet intensive të shiut të rëna gjatë natës kanë shkaktuar probleme të shumta përgjatë rrugës së Arbrit. Në pjesë të ndryshme ka pasur rënie të vazhdueshme të gurëve, ndërsa më problematike situata ka qenë në segmentin nga Qafa e Buallit deri tek ura mes dy lagjeve të Bulqizës. Masive gurësh vijojnë të shemben nga shpati i malit dhe të përfundojnë në asfalt. Kanalet kulluese anësore të këtij aksi janë të bllokuara totalisht nga gurët prej 1 muaji. Sipas drejtuesve të mjeteve dhe banorëve, shkak për këtë situatë, e cila shpesh kthehet në burim aksidentesh, është bërë mosvendosja e një rrjete mbrojtëse përgjatë shpatit të malit.
Edhe në afërsi të urës së Çerenecit pati probleme në rrugën e Arbrit. Një masiv i madh shkëmbi u shemb nga lartësia dhe dëmtoi murin mbrojtës të rrugës. Fatmirësisht shembja e shkëmbit ndodhi në një moment ku në rrugë nuk kishte lëvizje makinash, pasi mund të kishte shkaktuar tragjedi.