Vijojnë dëgjesat publike në Rukaj, Lis e lagjen “Partizani” blloku 1
Bashkia e Matit ka vijuar turin e dëgjesave publike me banorët në kuadër të hartimit të projek-buxhetit dhe paketës fiskale për vitin 2027. Kryetari i Bashkisë Mat, Altin Bojni i shoqëruar nga stafi i tij u ndalën me banorët e Njësisë Administrative Rukaj. Teksa tha se paketa fiskale e vitit të ardhshëm nuk ka ndryshim nga ajo e këtij viti, kryetari i Bashkisë Mat Altin Bojni bëri një rezyme edhe të investimeve në vijim.
Më pas dëgjesa u zhvendos me banorët e Njësisë Administrative Lis. Edhe në këtu kryebashkiaku i Matit, Altin Bojni shpalosi objektivat e institucionit që ai drejton për vitin e ardhshëm. Bojni u ndal edhe në investimet në infrastrukturën rrugore siç është asfaltimi i rrugëve të fshatrave, fazë e cila po vijon edhe aktualisht me rrugën e fshatit Gjalish. Por jo vetëm infrastruktura rrugore, Bojni tha se investime do të ketë edhe në institucionet arsimore siç është shkolla 9 vjeçare “Ali Xhetani” në Zenisht.
Gjatë takimit të zhvilluar me banorët e lagjes “Partizani” të bllokut të banimit 1 dhe 2, Kryetari i Bashkisë Mat, Altin Bojni prezantoi objektivat e bashkisë për vitin e ardhshëm. Bojni tha se buxheti i 2027 do të jetë më i lartë se i këtij viti, ndërsa paketa fiskale nuk do të ndryshojë. Sa i përket investimeve, Kryebashkiaku Altin Bojni tha se do të vijojë projekti i sistemit kapot të pallateve, ndërsa theksoi se do të punohet në çdo skaj të qytetit për hapsirat publike dhe rrugët e brendshme.
Dëgjesat publike me banorët do të zhvillohen në të gjitha lagjet e qytetit dhe njësitë administrative para se projekt-vendimi të kalojë në këshillin bashkiak Mat për miratim.