(VIDEO)Zonës së djegur në Plan të Bardhë i del “pronari”

(VIDEO)Zonës së djegur në Plan të Bardhë i del “pronari”
Një nga zonat më të bukura natyrore që u shkrumbua nga zjarret këtë verë është padyshim ajo mbi fshatin Plan i Bardhë në Bashkinë e Klosit. Ky masiv me pishë të zezë i cili vitet e fundit ishte bërë shumë i bukur si pasojë e rritjes së pemëve halore, u dogj plotësisht në fund të muajit Korrik. Flakët e ndihmuara nga era e fortë shkrumbuan gjithçka në vetëm pak minuta duke shkaktuar një dëm të madh ekonomik e mjedisor. Zjarri i rënë ka lënë pas vetëm hirin dhe pemët e djegura, duke krijuar një pamje të dhimbshme. Jashtë kameras banorë të zonës dyshojnë se zjarri mund të ketë qenë i qëllimshëm pasi është përfolur që kompani të ndryshme e kanë kërkuar për të ndërtuar park fotovoltaik. E për ta arritur këtë fillimisht është bërë djegia e pemëve në mënyrë që t’i hapej rrugë marrjes së lejes për ndërtimin e këtij parku për prodhim energjie. Ditët e fundit është parë që në zonë janë vendosur tabela “Pronë private”. Ende nuk dihet se kush i ka vendosur ato, banorë të zonës apo të interesuar të tjerë. E nëse zjarri është vendosur qëllimisht për t’i hapur rrugë ndërtimit të këtij biznesi, atëherë ky është një krim më shumë se mjedisor, është njerëzor. Specialistët e pyjeve thonë se për të arritur në lartësinë që ishin pemët halore pishë e zezë duhen disa dekada, ndërsa impakti negativ bie direkt mbi shëndetin e njeriut, pasi ulet sasi e oksigjenit që prodhohet nga bimësia.