(VIDEO)Zjarri në Shupenzë, totalisht jashtë kontrollit, flakët i afrohen banesave

(VIDEO)Zjarri në Shupenzë, totalisht jashtë kontrollit, flakët i afrohen banesave
Vatra e zjarrit që është aktivizuar në malin e “Vlashajt” mbi fshatin Shupenzë të Bulqizës ka dalë totalisht jashtë kontrollit. Zjarri është përhapur me shpejtësi të madhe duke krijuar një perimetër të konsiderueshëm që gradualisht po i afrohet edhe banesave. Po ashtu për shkak të erës së fortë, në malin e “Vlashajt” janë shfaqur disa vatra zjarri ku një pjesë e tyre janë aktivizuar mbi fshatin Godvi. Për shkak të mungesës së ndërhyrjes me forca e mjete, pasi burimet njerëzore të bashkisë Bulqizë janë përqendruar në shuarjen e flakëve në malin e fshatit Peladhi, zjarri në Shupenzë është përhapur pa u penguar nga askush. Po ashtu, luftë me flakët vijon të ketë edhe në masivin pyjor me pishë të zezë dhe ahu në parkun kombëtar “Lurë – mali Dejës”. Me dhjetra forca të shërbimit zjarrfikës, të shërbimit pyjor, të agjensisë së zonave të mbrojtura, të pushtetit vendor, forcave të armatosura dhe banorë të zonës po luftojnë me flakët prej 10 ditësh. Edhe kjo vatër zjarri është thuajse e pamundur të izolohet në rrugë tokësore për shkak të terrenit të vështirë dhe të rrezikshëm për forcat që janë angazhuar në mission prej disa ditësh, ndaj është kërkuar ndihmë nga ajri për vënien nën kontroll të vatrave të zjarrit.