(VIDEO)Zjarret vijojnë të jenë aktive në Bulqizë, sfida kryesore terreni i vështirë

(VIDEO)Zjarret vijojnë të jenë aktive në Bulqizë, sfida kryesore terreni i vështirë
Për gjashtë ditë rresht, dy vatra zjarri vazhdojnë të mbeten aktive në bashkinë e Bulqizës, njëra në Liqenin e Zi dhe tjetra në Valën e Martaneshit. Pavarësisht angazhimit të madh të forcave, përfshirë punonjës nga bashkia, shërbimi pyjor, zjarrfikësit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, banorët e zonës dhe helikopteri i Ministrisë së Mbrojtjes, flakët ende nuk janë shuar plotësisht. Punonjësit e bashkisë dhe të zonave të mbrojtura po monitorojnë me kujdes situatën, me qëllim që zjarri të mos përhapet drejt pyjeve të larta. Ajo që e bën situatën veçanërisht të vështirë është terreni i thepisur, i cili e bën të pamundur ndërhyrjen nga toka me mjete zjarrfikëse dhe lëvizjen në këmbë. Madje, edhe ndërhyrja nga ajri është tepër e komplikuar. Vatra më intensive ndodhet në Valën e Martaneshit, ku po digjen masive shkurresh. Zjarri rrezikon disa banesa në luginën e Valit dhe po përhapet me shpejtësi për shkak të temperaturave të larta dhe erës. Banorët e zonës kërkojnë masa të menjëhershme për izolimin e flakëve. Për momentin, shpresa e vetme për shuarjen e zjarrit mbeten reshjet e shiut, të cilat do të ndihmonin në frenimin e shpërhapjes së tij. Policia ka nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e rënies së zjarrit. Ndërkohë, vatra të tjera janë raportuar edhe në zona të tjera të Qarkut të Dibrës, si Lura në bashkinë e Dibrës, Zall-Gjocaj në bashkinë Mat dhe Plan i Bardhë e Mali i Allushit në bashkinë Klos. Vatra zjarri janë regjistruar gjithashtu në Ternovë dhe Shupenzë në bashkinë Bulqizë.