(VIDEO)Zbulohet në Bulqizë varri monumental i periudhës Romake, i pari në llojin e tij në Shqipëri

(VIDEO)Zbulohet në Bulqizë varri monumental i periudhës Romake, i pari në llojin e tij në Shqipëri
Një grup arkeologësh pranë Institutit të Arkeologjisë në Akademinë e Shkencave kanë zbuluar në Bulqizë një varr monumental, i pari në llojin e tij në Shqipëri, që i përket periudhës romake. Gjatë zbatimit të një projekti për kërkime arkeologjike në luginën e Bulqizës, arkeologët zbuluan varrin monumental në vendin e quajtur “Fusha e Gurrës” në fshatin Strikçan. Nga hulumtimi paraprak arkeologët vlerësojnë se ky varr i përket shekullit të III – IV pas erës tonë që korespondon me periudhën romake. Arkeologu Erikson Nikolli thotë se gjendja e varrit monumental të gjetur në fshatin Strikçan të Bulqizës është e ruajtur shumë mirë dhe ka përmasa të mëdha 9 metra gjatësi dhe 5 metra gjerësi, i ndarë në disa pjesë ku është hyrja me shkallë, paradhoma dhe dhoma funerare. Sipas arkeologut Nikolli ky varr monumental i këtij lloji ndërtohej vetëm për udhëheqës të lartë të kohës. Brenda në varr janë gjetur eshtra të cilat do t’i nënshtrohen analizave dhe që pritet të hedhin më shumë dritë mbi këtë monument dhe kohën në të cilën është ndërtuar. Gërmimet arkeologjike pranë këtij varri do të vijojnë deri në zbulimin e plotë të monumentit. Kryetarja e Bashkisë Bulqizë Festime Mjeshtri tha se ky monument do të merret në ruajtje nga pushteti vendor për tu kthyer në një atraksion turistik për Bulqizën.