(VIDEO)Vijon ndotja në fshatin Plan i Bardhë, asnjë masë e marrë nga autoritetet

(VIDEO)Vijon ndotja në fshatin Plan i Bardhë, asnjë masë e marrë nga autoritetet
Pirgu i mbeturinave në afërsi të Qafës së Buallit mbi fshatin Plan i Bardhë vijon të rritet. Mbetje të ndryshme urbane dhe të konsumit të përditshëm vijojnë të hidhen aty nga persona të papërgjegjshëm. Situata është kthyer shqetësuese për shkak se mbeturinat vijojnë të shtohen dhe e gjithë ndotja përfundon tek tokat bujqësore të fshatit Plan i Bardhë. Ndonëse është trajtuar disa herë mediatikisht, ende nuk është marrë asnjë masë nga autoritetet qoftë nga ata të mbrojtjes së mjedisit e qoftë nga pushteti vendor për t’i larguar. Një nga kërkesat e qeverisë ndaj pushtetit vendor ka qenë mbajtja pastër e rrugëve dhe territorit sidomos në sezonin turistik, pasi kanë një impakt negativ për turizmin. Jo vetëm që kjo nismë ishte afatshkurtër, por që grumbujt e mbeturinave po shtohen kudo anash rrugëve nacionale apo në zona ku ka lëvizje të turistëve. Nga ana tjetër, jashtë kameras, banorët e fshatit Plan i Bardhë kërkuan ndërhyrje të menjëhershme për heqjen e mbeturinave si dhe të vihen para drejtësisë të gjithë ata që shkarkojnë mbetje aty.