(VIDEO)Turistë nga Zelanda e Re vizitojnë Matin: “Shqipëria, mikpritëse dhe e lirë për udhëtim”

(VIDEO)Turistë nga Zelanda e Re vizitojnë Matin: “Shqipëria, mikpritëse dhe e lirë për udhëtim”
Në vitet e fundit, qarku i Dibrës ka përjetuar një rritje të dukshme të interesit nga turistët e huaj, të cilët zgjedhin gjithnjë e më shumë destinacionet malore dhe natyrore të Shqipërisë për të përjetuar aventura autentike, larg turizmit masiv. Krahas turistëve nga Ballkani dhe Europa Perëndimore, kohët e fundit në zonën e Matit janë shfaqur edhe vizitorë nga pjesë më të largëta të botës. Një rast interesant është ai i çiftit Bejli dhe Kejla nga Zelanda e Re, të cilët prej disa ditësh ndodhen në Shqipëri si pjesë e një udhëtimi të gjatë me biçikletë që ka nisur nga Londra dhe përfundon në Greqi. Në zonën e Klosit, pranë fshatit Katurnd, ata ndaluan për një pushim dhe ndanë përshtypjet e tyre mbi Shqipërinë dhe përvojën si turistë të lëvizshëm, të cilët udhëtojnë me një buxhet të kufizuar, por me shumë entuziazëm dhe kuriozitet për vende të reja. Për Bejlin dhe Kejlën, Shqipëria ka qenë një destinacion i shumëdëshiruar që prej kohësh. Sipas tyre, rekomandimet e miqve dhe kontaktet me turistë të tjerë ndërkombëtarë që kishin vizituar më parë vendin, luajtën një rol të rëndësishëm në zgjedhjen për të kaluar nëpër Shqipëri. Ajo që i ka impresionuar më shumë është mikpritja e vendasve dhe ndjenja e ngrohtësisë që përjetuan në shumë zona ku ndaluan. Ata theksojnë se janë ndjerë të mirëpritur në çdo moment dhe se fama e mikpritjes shqiptare është plotësisht e merituar. “Ne jemi nga Zelanda e Re dhe kemi qenë në Shqipëri prej një jave tashmë. Po udhëtojmë me biçikletë. Rrugëtimin e kemi nisur nga Londra. Nga Londra kemi ardhur këtu dhe udha jonë është drejt Greqisë, e cila është destinacioni ynë final. Kemi disa shokë që e kanë vizituar Shqipërinë, së bashku me njerëzit që kemi takuar në rrugë. E kemi pasur dëshirë prej kohësh ta vizitojmë si shtet. Jemi shumë entuziast për të qenë këtu. Njerëzit këtu janë shumë mikpritës. I bëjnë turistët të ndihen si në shtëpinë e tyre. E kemi dëgjuar këtë për Shqipërinë para se ta vizitonim dhe mund të themi me plot gojë që është e vërtetë.” Pavarësisht eksperiencës pozitive me natyrën dhe njerëzit, çifti nga Zelanda e Re nuk ngurron të përmendë edhe disa nga vështirësitë që kanë hasur gjatë rrugëtimit të tyre në Shqipëri. Si udhëtarë që përdorin biçikletën si mjetin kryesor të transportit, ata e kanë të pamundur të injorojnë problemet që lidhen me sigurinë në rrugë dhe mungesën e infrastrukturës së përshtatur për çiklistët. Ata theksojnë se, edhe pse drejtuesit e automjeteve shpeshherë nuk ruajnë distancën e duhur kur i parakalojnë, përdorimi i borive si paralajmërim dhe përshëndetjet miqësore nga kalimtarët ndihmojnë për të zbutur ndjesinë e pasigurisë. Megjithatë, ky mbetet një aspekt kritik për përmirësim, sidomos për të nxitur më shumë turizmin me biçikletë, një formë gjithnjë e më e preferuar në Europë. Krahas trafikut, një tjetër shqetësim është prania e mbetjeve në natyrë, diçka që sipas tyre bie menjëherë në sy në krahasim me standardet në vendin e tyre. Pamja e policëve të armatosur në rrugë, ndonëse normale në Shqipëri, për ta është diçka e pazakontë dhe ndikon në mënyrën si perceptohet siguria. Megjithatë, ata e theksojnë se kjo është më shumë një ndjesi kulturore sesa një përvojë reale e pasigurisë – përkundrazi, ndihen të sigurt dhe vënë re se Shqipëria po ndryshon, veçanërisht në syrin e turistëve të rinj. “Fatmirësisht rrugëtimi jonë nuk është penguar nga zjarret edhe pse kemi hasur shumë prej tyre në rrugë. Mundohemi të zgjohemi sa më herët që të lëvizim kur nuk ka temperatura të larta. Makinat nuk kanë fare respekt për ne çiklistët në rrugë. Kur na parakalojnë, ato afrohen shumë. Por ato të paktën përdorin borinë e makinës për të paralajmëruar parakalimin – kjo të paktën na bën më pak nervoz. Gjithashtu na kënaq dhe fakti që një pjesë e madhe na përshëndesin rrugës kur na shohin.Në krahasim me Zelandën e Re kemi shumë mbeturina në cep të rrugëve. Gjithashtu nuk jemi mësuar që të shohim policë në rrugë me pistoletë në brez. Brezat e vjetër në Zelandë të Re e mendojnë Shqipërinë si jo të sigurt. Por gjërat kanë ndryshuar, gjenerata e re e shikon Shqipërinë si një zonë në rritje për turizëm.” Ndër pikat më të forta që i kanë lënë mbresa Bejlit dhe Kejlës është aspekti ekonomik i udhëtimit në Shqipëri. Ata e shohin vendin tonë si një ndër alternativat më të përballueshme në Europë për turistët që nuk kanë buxhete të mëdha, por kërkojnë përvojë kulturore dhe natyrore të pasur. Ata theksojnë se bujtinat dhe kampingjet në Shqipëri ofrojnë një raport cilësi-çmim shumë të mirë, duke i bërë të arritshme edhe për turistë që udhëtojnë për muaj të tërë. Edhe pse përmendin disa vështirësi në adaptimin me sistemin monetar dhe mungesën e transparencës në kthimin e kusurit, ata nuk e shohin këtë si një pengesë serioze. Për ta, përvoja e përgjithshme ka qenë pozitive dhe vendi ka potencial të madh për të tërhequr më shumë turistë të ngjashëm me ta. “Shqipëria për ne është nga vendet më të lira në Evropë për turizëm. Kampingu, për shembull, është gjysma e çmimit që do paguanim në Itali, Francë, etj. Ne jemi në buxhet të ulët dhe nuk ikim shpesh në restorante, por në ato raste kur ikim është më lirë se në shtetet e tjera. Ne jemi mësuar me supermarkete të mëdha dhe jo këto të vogla që keni ju këtu në Shqipëri. Duke qenë se nuk kemi Lekë shqiptare me vete, mendojmë që shitësit kanë abuzuar pak në kthimin e kusurit – për këtë nuk jemi shumë të kënaqur. Por ne mendojmë se Shqipëria është shumë miqësore për turistë si ne që janë në buxhet. Bujtinat kanë çmime mjaft të përballueshme.” Bejli dhe Kejla janë vetëm një nga shumë historitë që tregojnë për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm dhe alternativ në zonat e Shqipërisë. Udhëtimi i tyre me biçikletë përmes maleve dhe fshatrave tregon se vendi ynë ka potencial për këtë industri.