(VIDEO)Takimi me intelektualë dhe bij të Matit

(VIDEO)Takimi me intelektualë dhe bij të Matit
Në kuadër të festimeve të “31 Korrikut”, 82-vjetorit të kryengritjes mbarë popullore matjane, pasditen e së enjtes u mbajt për herë të parë “Takimi me intelektualë dhe bij të Matit”. Dhjetra matjanë të ardhur nga shumë vende të botës por edhe qytete të tjera të Shqipërisë, u takuan në parkun “Mbretëresha Geraldinë”, për të hapur siparin e këtij organizimi me perspektivën e vijimësisë së tij. Organizatorët e këtij takimi kanë ndërmarrë nismën e krijimit të një shoqate gjithëpërfshirëse me bijtë dhe bijat e Matit kudo ku jetojnë e punojnë, me qëllimin e vetëm, atë të bashkimit të tyre dhe pse jo marrjen e nismave të ndryshme për të kontribuar në zhvillimin e mëtejshëm të trevës së Matit. Oratorët thanë se kjo nismë që ka si qëllim të bashkojë zërat e dijes, trashëgimisë dhe emancipimit matjan brenda dhe jashtë Shqipërisë. Qëllimi i këtij takimi ishte që të ruajmë, promovojmë dhe zhvillojmë identitetin kulturor, historik dhe intelektual të krahinës së Matit, duke ndërtuar ura bashkëpunimi mes brezave dhe diasporës së Matit kudo në botë. Ky bashkim i intelektualëve tregoi edhe një herë se matjanët, kudo që ndodhen, janë të bashkuar dhe të gatshëm të kontribuojnë për vendlindjen. Në ditët në vijim pritet të hidhen hapa të tjerë për t’i dhënë formë ligjore dhe zyrtare kësaj nisme, e cila përfshin intelektual të fushave të ndryshme dhe breza të ndryshëm nga më të rinjtë e deri tek ata që kanë me dekada kontribute në fusha të jetës.